Dyshime për keqpërdorim të votave në Prizren, policia dhe prokuroria në aksion
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, ka nisur sot një operacion në rajonin e Prizrenit, lidhur me dyshimet për keqpërdorim dhe manipulim të votave.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Luljeta Mehmeti, ka konfirmuar se operacioni është në zhvillim, duke shtuar se detajet do të bëhen publike pas përfundimit të tij.
Edhe Prokuroria Themelore në Prizren ka konfirmuar zhvillimin e aksionit. Zëdhënësja Fitore Mehmeti ka bërë të ditur se hetimet kanë të bëjnë me dyshime për manipulim të votave, por për shkak se rasti është në procedurë, nuk janë dhënë detaje shtesë. Ajo ka theksuar se për zhvillime të reja publiku do të njoftohet gjatë ditës.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzën e parë që lidhet me zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025. Aktakuza ka të bëjë me veprën penale “Asgjësimi i dokumenteve të votimit”, e paraparë me nenin 217, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, më 28 dhjetor 2025, në një qendër votimi në Shtime, i pandehuri me inicialet M.A. dyshohet se ka dëmtuar dokumentet e votimit për zgjedhjet e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Prokuroria ka njoftuar se rasti është proceduar në Gjykatën Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda.








