Dy shtetas shqiptarë paguajnë me para të falsifikuara në Prishtinë, ndalohen në pikën kufitare në Vërmicë
Dy persona me shtetësi shqiptare janë kapur nga Policia e Kosovës nën dyshimin për përdorim të parave të falsifikuara në një pikë karburanti në Prishtinë.
Sipas raportit të policisë, rasti është denoncuar nga një punëtor i një pompe derivatesh, i cili ka njoftuar se dy persona që udhëtonin me veturë me targa të Shqipërisë kanë bërë pagesë me kartëmonedha 10-euroshe, për të cilat dyshohet se janë të falsifikuara.
Pas njoftimit, policia ka arritur të ndalojë veturën në pikën kufitare në Vërmicë. Gjatë kontrollit, janë gjetur dhe sekuestruar 820 euro në kartëmonedha nga 10 euro, që dyshohen si të falsifikuara.
Me urdhër të prokurorit, njëri nga të dyshuarit është liruar pas intervistimit, ndërsa tjetri është ndaluar dhe është dërguar në mbajtje. Hetimet lidhur me rastin po vazhdojnë.










