Dy shqiptarë të përfshirë në aksidentin tragjik në Rumani, publikohen emrat
Genci Sadiku dhe Vasil Palo janë dy shqiptarët që ndodheshin në furgonin e përfshirë në aksidentin tragjik në Rumani, ku humbën jetën 7 persona dhe 3 të tjerë mbetën të plagosur, raporton gazetari i Top Channel, Artur Bibe.
Aksidenti ndodhi në autostradën pranë qytetit Lugoj, ndërsa furgoni me tifozë të ekipit grek PAOK të Selanikut udhëtonte drejt Francës për ndeshjen kundër Lionit në Europa League. Sipas autoriteteve rumune, furgoni u përplas fillimisht me një kamion-cisternë dhe më pas me një kamion tjetër, duke përfshirë gjithsej katër mjete.
Gjashtë nga viktimat humbën jetën në vend, ndërsa një tjetër ndërroi jetë gjatë transportit drejt spitalit. Të plagosurit u dërguan në spitalin e qytetit Lugoj, ndërsa helikopterët e emergjencës nuk mundën të ndërhynin për shkak të kushteve atmosferike.
Ministria e Jashtme e Greqisë dhe ambasada greke janë në kontakt me autoritetet rumune për identifikimin e viktimave dhe mbështetjen e familjarëve. Klubi i PAOK ka shpallur zi dhe do të mbulojë shpenzimet për kthimin e trupave dhe ndihmën ndaj të plagosurve, ndërsa kërkesa për anulimin e ndeshjes nuk është pranuar nga federata europiane e futbollit.








