#Sport

Dy gjigantë të futbollit evropian janë futur në garë për nënshkrimin e sulmuesit argjentinas Julian Alvarez, i cili po vazhdon të jetë një nga emrat më të kërkuar në tregun e transferimeve.

25-vjeçari, kampion bote me Argjentinën në vitin 2022, ka qenë prej kohësh në radar të Barcelona­s, e cila e sheh si objektivin kryesor për repartin ofensiv. Megjithatë, së fundmi në garë është futur edhe Arsenali, që sipas raportimeve të ESPN dhe Talksport ka nisur tashmë kontaktet e para për transferimin e tij.

Londinezët po e konsiderojnë seriozisht afrimin e Alvarezit, edhe pse klubi spanjoll pritet të kërkojë rreth 100 milionë euro për kartonin e tij. Arsenali ka disa avantazhe në këtë garë, përfshirë drejtorin sportiv Andrea Berta, i cili e njeh mirë lojtarin nga koha e tij te Atletico Madrid dhe kishte rol në transferimin e Alvarezit në verën e vitit 2024 për 75 milionë euro, me kontratë deri në vitin 2030.

Njohja e Alvarezit me Ligën Premier, falë eksperiencës së mëparshme te Manchester City, shihet si një tjetër plus për “Topçinjtë”. Arsenali e kishte ndjekur sulmuesin edhe verën e kaluar, por atëherë zgjodhi Viktor Gyokeres nga Sporting Lisbona. Me Gabriel Jesus dhe Kai Havertz që po përballen me probleme fizike dhe mungesë vazhdimësie, afrimi i Alvarezit mund të jetë një zgjidhje kyçe për repartin ofensiv.

Gara për nënshkrimin e argjentinasit pritet të jetë e fortë në muajt në vijim, ndërsa Arsenali duket i vendosur të qëndrojë në luftë deri në fund.