Drita sfidon Differdangen në ndeshjen e parë të “play-off”-it të Ligës së Konferencës
Skuadra gjilanase, Drita, sonte pret Differdangen e Luksemburgut në ndeshjen e parë të fazës “play-off” për hyrje në grupet e Ligës së Konferencës.
Takimi zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me fillim nga ora 20:00.
E udhëhequr nga trajneri Zekirija Ramadani, Drita ka treguar formë të mirë edhe kundër rivalëve të fuqishëm si Copenhagen dhe FCSB, por fati nuk e ka ndihmuar për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve apo në Ligën e Evropës.
Tashmë “Intelektualët” kanë shansin historik për ta siguruar për herë të parë pjesëmarrjen në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, duke u përballur me Differdangen në këtë raund vendimtar.











