Dokumentet nga MUP-i serb pranohen si prova në Speciale, OVL-UÇK e cilëson veprim të papranueshëm dhe thërret në protestë
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjykatës Speciale për të pranuar si prova dokumente të dorëzuara nga institucionet shtetërore të Serbisë, përfshirë Shërbimin e Sigurimit Shtetëror, Ministrinë e Punëve të Brendshme (MUP) dhe struktura të tjera ushtarake e policore serbe.
Sipas OVL-UÇK-së, bëhet fjalë për dokumente të siguruara nga aparati shtetëror serb që, sipas tyre, ka kryer krime të dokumentuara gjatë luftës në Kosovë. Pranimi i këtyre dokumenteve nga ana e gjykatës, sipas kësaj organizate, është veprim i papranueshëm që u jep besueshmëri institucioneve që kanë përndjekur popullin shqiptar.
“Edhe një arsye më shumë për të protestuar,” thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së, duke bërë thirrje për pjesëmarrje në protestën që do të mbahet më 7 gusht, në orën 17:00, kundër siç e quajnë ata, padrejtësive të Gjykatës Speciale.
Sipas tyre, ky zhvillim përbën përpjekje për të rishkruar historinë përmes dokumenteve të një aparati që ka ushtruar dhunë ndaj popullit të Kosovës.











