Dokumente, armë dhe para të konfiskuara gjatë aksionit në “Eko Regjioni” në Prizren
Gjatë një aksioni të zhvilluar me urdhër të Prokurorisë Speciale në ndërmarrjen publike “Eko Regjioni” në Prizren, janë arrestuar dy persona dhe janë konfiskuar dokumente, armë, pajisje elektronike dhe para të gatshme.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, njësitë policore, me autorizim të gjykatës, kanë kryer bastisje në shtëpitë dhe banesat e tre personave të dyshuar, si dhe në ambientet e një ndërmarrjeje publike dhe një biznesi privat. Gjatë kontrollit janë sekuestruar kontrata që lidhen me rastin, një armë e gjatë me një karikator me 20 fishekë, dy laptopë, para të gatshme dhe dëshmi të tjera relevante.
Në lidhje me rastin, dy të dyshuar meshkuj kosovarë janë arrestuar dhe, pas intervistimit, me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje. Sipas autoriteteve, A.G. dyshohet për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa R.Z. për veprën penale “keqpërdorim dhe mashtrim në prokurimin publik”, sipas dispozitave të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.








