Dogana ndalon mbi 400 pjesë rezervë për ashensor të padeklaruara në Vërmicë
Dogana e Kosovës ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme mallrash të padeklaruara në Pikën Kufitare të Vërmicës.
Gjatë kontrollit të një automjeti, drejtuesi kishte mohuar se posedon mallra për deklarim, por doganierët zbuluan 482 pjesë rezervë për ashensor, për të cilat nuk u paraqit asnjë faturë.
Rasti është cilësuar si kundërvajtje doganore, ndërsa mallrat janë ndaluar deri në përfundim të procedurave ligjore.
Dogana ka rikujtuar qytetarët dhe bizneset se deklarimi i saktë i mallrave është obligim ligjor dhe çdo shmangie do të trajtohet sipas ligjit.











