#Lajme

Dogana ndalon mallra të dyshuara për falsifikim që shkelin të drejtat e pronësisë intelektuale

Dogana e Kosovës ka ndaluar një sasi të konsiderueshme mallrash të importuara, për të cilat dyshohet se shkelin të drejtat e pronësisë intelektuale të markave të njohura ndërkombëtare.

Sipas njoftimit zyrtar, mallrat e sekuestruara përfshijnë shtroja gome për këmbë dhe mbulesa tekstili për ulëse veturash, që mbanin dizajne dhe shenja tregtare të disa brendeve të njohura.

Institucioni ka bërë të ditur se, në përputhje me legjislacionin në fuqi, janë nisur procedurat për verifikimin e origjinalitetit të produkteve dhe janë njoftuar bartësit e të drejtave përkatëse, me qëllim vlerësimin nëse këto produkte përbëjnë shkelje të markave të regjistruara.

Dogana ka theksuar se është e përkushtuar në zbatimin e masave kundër falsifikimeve, për të siguruar një treg të drejtë dhe konkurrencë të ndershme, si dhe për të mbrojtur konsumatorët nga produktet që rrezikojnë sigurinë dhe standardet e cilësisë.