#Lajme

Dogana e Kosovës kap 1 kilogram marihuanë në një dërgesë postare

Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se në Qendrën Doganore të Postës, gjatë një kontrolli rutinë të dërgesave me prejardhje nga jashtë vendit, është zbuluar dhe konfiskuar një sasi narkotike.

Gjatë inspektimit të një pakoje të dyshimtë, zyrtarët doganorë gjetën dy qese plastike të mbushura me një substancë të blertë, që dyshohej të ishte kanabis. Pesha neto e saj rezultoi të jetë rreth 1 kilogram.

Pas raportimit të menjëhershëm, Njësia Anti-Drogë e Policisë së Kosovës konfirmoi se bëhej fjalë për marihuanë. Rasti, bashkë me provat materiale, iu dorëzua Policisë për procedura të mëtejshme ligjore.

Dogana theksoi angazhimin e saj për të parandaluar hyrjen e substancave të ndaluara dhe për të mbrojtur sigurinë e qytetarëve, duke vlerësuar gjithashtu bashkëpunimin e ngushtë me institucionet e tjera të sigurisë.