#Lajme

Djali i Hashim Thaçit, në ballë të protestës në Tiranë për ish-krerët e UÇK-së

Djali i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Endrit Thaçi, është parë në mesin e protestuesve të shumtë që sot janë mbledhur në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, për të shprehur mbështetjen ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po mbahen në Hagë.

Protesta, e organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), ka mbledhur një numër të madh qytetarësh nga të gjitha trojet shqiptare. Sipas organizatorëve, nga Kosova janë nisur mbi 60 autobusë me protestues.

Kjo është njëra nga disa protestat e mbajtura muajt e fundit në përkrahje të ish-udhëheqësve të UÇK-së. Më 7 gusht, një protestë e ngjashme u zhvillua në Prishtinë, ndërsa më 12 shtator dhe 14 shtator qytetarët shqiptarë protestuan në Hagë, në afërsi të Gjykatës Speciale, ku morën pjesë rreth 10 mijë shqiptarë nga mbarë bota.

Protestuesit kërkojnë drejtësi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, duke theksuar se proceset gjyqësore ndaj tyre janë të padrejta.