Dita e të Zhdukurve – Hoti: Janë gjetur mbetjet e së paku 9 individëve, priten gërmime në 5 lokacione të tjera
Kosova po shënon sot dhe nesër Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Forcë, me homazhe që nisën nga ora 10:45 te Monumenti i Personave të Zhdukur. Ende mbi 1.600 qytetarë vazhdojnë të figurojnë të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.
Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, ka bërë të ditur se deri më tani janë punuar 17 lokacione në kuadër të gërmimeve, ndërsa në 7 prej tyre janë zbuluar mbetje mortore, të cilat tashmë janë dërguar për analiza në Laboratorin e ICMP.
Ai konfirmoi se mbetjet mortore të së paku 9 individëve janë gjetur në lokacionet e punuara deri tani, ndërkohë që verifikimi i saktë pritet të bëhet përmes analizave të ADN-së.
Hoti njoftoi se janë përfunduar gërmimet në disa zona, përfshirë Vushtrrinë dhe Klinën, ndërsa së shpejti pritet të hapen edhe pesë lokacione të tjera, si pjesë e përpjekjeve për të ndriçuar fatin e të zhdukurve.










