Diant Ramaj refuzon Kosovën, synon të luajë për Gjermaninë
Portieri i Bundesligës, Diant Ramaj, ka konfirmuar se nuk do të luajë për përfaqësuesen e Kosovës në futboll. Këtë e bëri të qartë menaxheri i tij, Jurgen Schwab, duke mohuar raportimet se Ramaj do t’i bashkohej “Dardanëve” nga nëntori.
Ramaj, 24 vjeç, është i huazuar te Heidenheimi nga Borussia Dortmund dhe ka shprehur qartë dëshirën për të luajtur për Gjermaninë. Ai ka përfaqësuar skuadrat e moshave të Gjermanisë dhe synon të bëhet pjesë e kombëtares së parë gjermane.
Në kampin e Kosovës, portieri i parë mbetet Arijanet Muriq, i cili aktualisht është i suspenduar për ndeshjen ndaj Sllovenisë më 15 nëntor. Në mungesë të tij, pritet të aktivizohet Amir Shaipi, ndërsa portieri i tretë është Visar Bekaj.
Megjithatë, mungesa e Ramajt konsiderohet një humbje për Kosovën, pasi ai është një portier me potencial të lartë që do të kishte ndihmuar skuadrën në garën për kualifikim në Botëror. Kosova synon të sigurojë plejofin nëse shmang humbjen ndaj Sllovenisë dhe më pas do të përballet me Zvicrën tri ditë pas asaj ndeshjeje.











