Dështon për herë të 48-të konstituimi i Kuvendit të Kosovës
Për të 48-tën herë me radhë ka dështuar konstituimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke vazhduar krizën institucionale që po zvarritet tash e tre muaj.
Ngërçi mbetet i njëjtë: mungesa e kuorumit për themelimin e Komisionit për votim të fshehtë, për shkak të refuzimit të partive opozitare për të propozuar anëtarët e tyre.
Në sallën plenare ishin të pranishëm 100 deputetë, prej të cilëve vetëm 51 votuan pro themelimit të komisionit – një numër që nuk përmbushi kuorumin e nevojshëm.
Tentativat për zgjidhje përfunduan në debate mes deputetëve. Rashit Qalaj nga PDK doli për të dhënë një propozim, por fjala iu ndërpre mes diskutimeve. E njëjta ndodhi edhe me Alban Zogajn e LDK-së, ndërsa Lista Serbe nuk dha asnjë propozim. Deputetja Time Kadrijaj nga AAK përsëriti propozimin për Albin Kurtin si kryetar Kuvendi.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, njoftoi se përpjekja e radhës për konstituim do të bëhet pas dy ditësh, në seancën e 49-të.
Seanca e parë konstituive u mbajt më 15 prill, por që nga ajo kohë procesi ka ngecur pa zgjidhje konkrete.











