Dënohet me 15 vjet burgim Sllavisha Filiq për zhdukjen e doktorit Hafir Shala
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtor Sllavisha Filiqin për krime lufte kundër popullatës civile dhe e ka dënuar atë me 15 vjet burgim. Aktgjykimi u shpall të enjten nga kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra.
Sipas aktakuzës, Sllavisha Filiq, në cilësinë e pjesëtarit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë, bashkë me dy zyrtarë të tjerë, kishte ndaluar dhe dërguar mjekun Hafir Shala në një objekt të Sigurimit Shtetëror në Prishtinë, ku ai ishte torturuar dhe keqtrajtuar fizikisht. Që nga ajo kohë, fati i doktor Shalës mbetet i panjohur.
Gjykimi ndaj Filiqit është zhvilluar në mungesë, ndërsa gjykatësja Namani-Hajra deklaroi se dënimi me burgim do të ekzekutohet kur aktgjykimi të marrë formë të prerë.











