Deklarim i pasaktë i mallrave farmaceutike, dërgesë në vlerë 49 mijë euro nën hetim doganor
Në Zyrën e Brendshme Doganore në Prishtinë është kontrolluar një dërgesë mallrash, ku gjatë verifikimit dokumentar dhe ekzaminimit fizik janë konstatuar mospërputhje mes përshkrimit të deklaruar dhe gjendjes reale të mallrave.
Dërgesa ishte deklaruar si lëndë e parë për prodhim, por inspektimi tregoi se në fakt përbëhej nga produkte farmaceutike të gatshme, të paketuara për shitje me pakicë. Ky veprim dyshohet se kishte për qëllim shmangien e pagesës së TVSH-së, ndërsa nuk ishte paraqitur as dokumentacioni shtesë, përfshirë certifikatën për import të produkteve farmaceutike të gatshme. Vlera totale e mallrave arrin rreth 49,000 euro.
Rasti përbën kundërvajtje doganore sipas legjislacionit në fuqi, për shkak të deklarimit të pasaktë të të dhënave doganore me qëllim shmangien e detyrimeve fiskale. Hetimet vazhdojnë.











