DASH: Vendimet e fundit të Republikës Sërpska ndikuan në heqjen e sanksioneve ndaj Dodikut
Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka bërë të ditur se veprimet konstruktive të Asamblesë Kombëtare të Republikës Sërpska javët e fundit ndikuan në heqjen e sanksioneve ndaj ish-liderit të serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, si dhe dhjetëra personave e kompanive të lidhura me të.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, DASH tha se këto veprime “do të ndihmojnë në përmirësimin e stabilitetit në Bosnjë dhe në forcimin e partneritetit me SHBA-të”.
Dodik, që më herët ishte sanksionuar për shkelje të Marrëveshjes së Dejtonit, u hoq nga lista e zezë së bashku me Zheljka Cvijanoviqin dhe mbi 40 individë e subjekte juridike.
Vendimi pason seancën e 18 tetorit, kur Asambleja e Republikës Sërpska shfuqizoi disa ligje të shpallura të pavlefshme nga Gjykata Kushtetuese e Bosnjës dhe anuloi 12 konkluzione parlamentare të dhjetorit 2024, të cilat ishin cilësuar si kundër Marrëveshjes së Dejtonit.
Po ashtu, Asambleja emëroi Ana Trishiq-Babiq, ish-këshilltare e Dodikut, si presidente në detyrë të entitetit.











