Çitaku kundër deklaratave të Alban Krasniqit: Urrejtja pa fakte është thirrje për telashe
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Alban Krasniqit, zyrtar i Vetëvendosjes në KQZ dhe bashkëshort i nënkryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Në një postim në Facebook, Çitaku e quajti të papërgjegjshëm dhe të dëmshëm qëndrimin e Krasniqit, duke e cilësuar si diskurs që nxit urrejtje e jo debat politik.
“Urrejtja pa fakte nuk është politikë, por thirrje për telashe,” shkroi ajo, duke i bërë thirrje Krasniqit për më shumë kujdes si përfaqësues institucional.
Ajo theksoi se arritjet e Kosovës janë rezultat i sakrificës së UÇK-së dhe mbështetjes ndërkombëtare, jo të “sharjeve politike”, ndërsa paralajmëroi se presioni publik ndaj gjyqtarëve barazohet me thirrje për dhunë.
“Jeni vonë. Jeni gabim. Jeni dështim. Me diskurs. Me qëndrime. Me arritje,” shtoi Çitaku, duke akuzuar VV-në për qasje të gabuar politike.
Ndërkohë, edhe Gjykata Supreme ka reaguar duke shprehur shqetësim për deklaratat e Krasniqit ndaj gjyqtarit Zenel Leku. Sipas Supremes, gjuha denigruese dhe teoritë konspirative të përdorura në mbledhjen e KQZ-së tregojnë mungesë të kulturës politike dhe përbëjnë përpjekje për delegjitimim të institucioneve.











