Çitaku: Duhet kujdes maksimal kur komentohen deklaratat e zyrtarëve amerikanë – Problemi është te qasja e qeverisë
Ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA dhe deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka bërë thirrje për kujdes dhe maturi nga zyrtarët institucionalë të Kosovës kur komentojnë deklaratat e zyrtarëve të lartë amerikanë. Ajo theksoi se çdo paqartësi apo dilemë duhet të trajtohet përmes kanaleve diplomatike dhe në mënyrë diskrete.
Duke iu referuar deklaratave të presidentes Vjosa Osmani dhe reagimit të Richard Grenell, Çitaku tha se përfaqësuesit e Kosovës duhet të përmbahen nga debatet publike me përfaqësues të SHBA-së, pasi një qasje e tillë mund të dëmtojë raportet me aleatin më të rëndësishëm të Kosovës.
Ajo gjithashtu vlerësoi trashëgiminë e administratës së ish-presidentit Trump në rajon, duke përmendur Marrëveshjen e Uashingtonit dhe anëtarësimin e Malit të Zi e Maqedonisë së Veriut në NATO si arritje që kanë sjellë stabilitet në Ballkanin Perëndimor.
Në vazhdim, Çitaku kritikoi qasjen e Qeverisë Kurti ndaj SHBA-së, duke përmendur mungesën e vizitave zyrtare në Shtëpinë e Bardhë në vitet e fundit. Sipas saj, kjo tregon për një qasje joprofesionale dhe të dëmshme ndaj aleancave strategjike të Kosovës.











