#Lajme

Çitaku alarmon për pasojat e shkyçjes së bizneseve: Rrezikohet papunësi masive në Kosovë

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pas shkyçjes masive të bizneseve nga rrjeti elektrik, duke e cilësuar situatën si alarmante dhe me pasoja të rënda për ekonominë.

Ajo tha se 1,400 biznese, kryesisht prodhuese, po përballen me ndërprerje të energjisë, gjë që rrezikon mijëra punëtorë të mbeten pa punë dhe pa të ardhura për familjet e tyre. “Qytetari i Kosovës, i rraskapitur nga çmimet e larta, sot po përballet edhe me rrezikun e papunësisë masive, si pasojë e vendimeve rrënuese të Kurtit dhe ZRRE-së”, ka theksuar Çitaku.

Ajo akuzoi qeverinë dhe VV-në se po ndjekin “mendësi totalitare” që, sipas saj, synon të dëmtojë sektorin privat dhe të dobësojë institucionet e pavarura.

Ndërkohë, edhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës ka paralajmëruar se ky proces i liberalizimit mund të lërë pa punë mbi 22 mijë punëtorë dhe të shkaktojë pasoja të rënda për ekonominë e vendit.