Çitaku akuzon VV-në për bllokimin e projekteve energjetike dhe për përfitime të “mafias energjetike”
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka kritikuar ashpër Lëvizjen Vetëvendosje, duke thënë se kjo parti ka penguar sistematikisht zhvillimin e projekteve energjetike në Kosovë që nga themelimi i saj.
Në një postim në Facebook, Çitaku deklaroi se VV, që nga fillimi, ka sabotuar çdo iniciativë të institucioneve për ndërtimin e kapaciteteve energjetike, shpeshherë edhe me metoda të dhunshme. Ajo përmendi projekte kyçe, si Termocentralin “Kosova e Re” dhe projektin amerikan të gazpërçuesit, të cilat sipas saj, janë kundërshtuar dhe bllokuar nga Vetëvendosje.
“Bllokimi i këtyre projekteve ka ndikuar direkt te qytetarët dhe bizneset, duke rënduar familjet dhe prodhuesit lokalë me çmime të papërballueshme dhe duke pasuruar mafien energjetike,” tha Çitaku. Ajo shtoi se skandalet e fundit në sektorin energjetik janë vetëm pjesë e një problemi më të madh, duke përmendur emrat “Nagipi dhe Martini” si vetëm majën e ajsbergut.
Çitaku e konsideroi pavarësinë energjetike si çështje të sigurisë kombëtare dhe tha se zgjedhjet e 28 dhjetorit do të sjellin një ndryshim politik. “Sot, pavarësia energjetike nuk është vetëm çështje ekonomike, por edhe e sigurisë kombëtare. Më 28 dhjetor, kjo mendësi i vjen fundi. Ata e ndiejnë këtë dhe janë në panik,” përfundoi ajo.











