Çfarë është dialogu strategjik që SHBA pezulloi me Kosovën?
Kosova ka pësuar një nga goditjet më të rënda të viteve të fundit, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën të pezullojnë për një kohë të pacaktuar dialogun strategjik me vendin tonë. Vendimi u bë i ditur nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, e cila tha se shkak janë veprimet e qeverisë në detyrë që, sipas SHBA-së, kanë rritur tensionet dhe jostabilitetin, duke e vështirësuar bashkëpunimin në prioritetet e përbashkëta.
Ky proces ishte iniciuar nga presidentja Vjosa Osmani, e cila prej vitit 2021 kishte propozuar fillimin e tij dhe e kishte cilësuar si një arritje të jashtëzakonshme për Kosovën. Në janar të këtij viti, Osmani kishte theksuar se dialogu strategjik do të përfshinte fusha kyçe në interes të qytetarëve të Kosovës, duke falënderuar SHBA-në për përkrahjen e vazhdueshme.
Dialogu strategjik është një proces i Departamentit të Shtetit të SHBA-së që zhvillohet me shtete të ndryshme me synim forcimin e marrëdhënieve bilaterale. Ai përfshin takime të nivelit të lartë mes palëve, që zakonisht mbahen në Uashington ose në vendin përkatës, ku diskutohet për çështje si mbrojtja, siguria, energjia, mjedisi dhe bashkëpunimi ekonomik.
SHBA ka zhvilluar dialog strategjik me një sërë vendesh, përfshirë Francën, Mbretërinë e Bashkuar, Rumaninë, Austrinë, Poloninë, Slloveninë, Moldavinë, Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Katarin, Omanin, Bahrejnin dhe Egjiptin. Po ashtu, është përfshirë edhe në dialog me lëvizje që nuk i konsideron aleate, si ajo demokratike bjelloruse e udhëhequr nga Sviatlana Tsikhanouskaya.











