#Botë

Çernobil – OKB: Mburoja mbrojtëse mbi reaktorin ka humbur funksionin pas sulmit me dron

Mburoja e re e vendosur mbi reaktorin e dëmtuar të Çernobilit nuk mund të kryejë më funksionin e saj kryesor pas një sulmi me dron të ndodhur më herët këtë vit, njoftoi Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (IAEA). Gjatë inspektimeve, ekspertët zbuluan se struktura gjigante – e vendosur për të izoluar reaktorin pas katastrofës së vitit 1986 – ka humbur aftësinë primare të izolimit.

Ukraina ka akuzuar Rusinë për sulmin e shkurtit kundër objektit, ndërsa Moska i ka mohuar pretendimet. Sipas IAEA-s, riparimet janë thelbësore për të parandaluar dëmtimet e mëtejshme të mburojës.

Megjithatë, eksperti britanik i mjedisit, Jim Smith, deklaroi për BBC se situata nuk paraqet arsye për panik, sepse rreziku mbetet i ulët. Ai sqaroi se mbetjet radioaktive bllokohen ende nga sarkofagu i betonit të ndërtuar menjëherë pas shpërthimit të vitit 1986, i cili ndodhet nën mburojën aktuale.

Pas shpërthimit tragjik që përhapi materiale radioaktive në pjesë të mëdha të Evropës, Bashkimi Sovjetik ndërtoi një strukturë të përkohshme betoni mbi reaktorin, e projektuar të zgjaste rreth 30 vjet. Kjo bëri të domosdoshme ngritjen e mburojës së re, e parashikuar të sigurojë izolim për një shekull.

IAEA bëri të ditur se një ekip inspektues ka vizituar zonën javën e kaluar, ku konfirmoi dëme të rënda në pjesën e jashtme të strukturës prej çeliku, për shkak të një zjarri të shkaktuar nga sulmi me dron. Dëmtime të pandreqshme nuk janë konstatuar dhe disa riparime emergjente tashmë janë kryer.

Shefi i IAEA-s, Rafael Grossi, paralajmëroi se restaurimi i plotë i strukturës duhet të vazhdojë pa vonesë, në mënyrë që të garantohen standardet e sigurisë bërthamore afatgjatë.

Që nga fillimi i dhjetorit, agjencia e OKB-së ka kryer vlerësime të shumta në infrastrukturën energjetike të Ukrainës, ndërsa vendi vazhdon të përballet me sulmet ruse. Mbrëmjen e fundit, Rusia sulmoi nga ajri qytetin industrial Kremençuk.

Përveç Çernobilit, IAEA ka inspektuar edhe nënstacione të rëndësishme për furnizimin me energji të centraleve bërthamore. Sipas Grossit, këto objekte janë jetike për funksionimin e sistemeve të ftohjes dhe sigurisë së reaktorëve, si edhe për furnizimin me energji të familjeve dhe industrisë.

Lufta në Ukrainë vazhdon që nga 24 shkurti 2022, të cilën presidenti rus Vladimir Putin e quan “operacion special ushtarak”. Perëndimi ka reaguar me sanksione të ashpra kundër Rusisë. Konflikti ka shkaktuar mijëra viktima dhe ka zhvendosur miliona njerëz nga shtëpitë e tyre.

Çernobil – OKB: Mburoja mbrojtëse mbi reaktorin ka humbur funksionin pas sulmit me dron

20 aksidente me të lënduar dhe 36

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *