Cakolli: Zgjedhjet e reja më të mundshme se formimi i institucioneve funksionale
Kanë kaluar mbi gjashtë muaj nga mbajtja e zgjedhjeve nacionale, por institucionet e reja ende nuk janë formuar për shkak të mungesës së numrave dhe proceseve të përsëritura në Gjykatën Kushtetuese.
Eugen Cakolli nga KDI vlerëson se situata aktuale politike është e bllokuar dhe gjasat për zgjedhje të reja duken më të mëdha sesa për krijimin e institucioneve stabile. Ai thekson se problemet e thelluara politike, ndarjet dhe retorika konfrontuese kanë mbyllur hapësirën për kompromis mes palëve.
Sipas tij, LVV nuk ka numrat për të qeverisur e vetme dhe këmbëngul në koalicion vetëm me LDK-në, ndërsa ish-opozita nuk arrin shumicën pa Listën Serbe, gjë që është refuzuar nga liderët e saj. Kjo, sipas Cakollit, ka krijuar një bllokadë politike ku secila palë e sheh marrëveshjen si humbje.
Ai shton se edhe mandati i presidentes Vjosa Osmani, që përfundon në mars të vitit të ardhshëm, e rëndon panoramën, pasi asnjë bllok politik nuk ka gjasa të sigurojë 80 votat e nevojshme. Për këtë arsye, çdo qeveri e mundshme do të ishte jetëshkurtër dhe e brishtë, duke rritur hezitimin për marrjen e pushtetit.











