Cakolli: Alban Hyseni mund ta fitojë Gjilanin pa balotazh, Ismajlit i duhen mbi 50% të votave të diasporës
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (IDK) ka deklaruar se gara për kryetar të Gjilanit mund të përfundojë që në rundin e parë të zgjedhjeve, pas numërimit të votave nga diaspora.
Sipas tij, aktualisht kryetari në detyrë Alban Hyseni është shumë afër fitores pa balotazh, pasi i duhen vetëm 92 vota shtesë për ta siguruar këtë rezultat. “Janë rreth 2 mijë votues të regjistruar jashtë vendit për Gjilanin dhe, nëse ndiqen trendët e mëparshëm, gjasat janë që komuna të mbyllet pa balotazh në favor të Hysenit”, tha Cakolli.
Ai shtoi se në zgjedhjet e kaluara, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka marrë rreth 70% të votave të diasporës, çka mund të përsëritet edhe këtë herë. “Në vitin 2021, kur Hyseni garoi kundër Lutfi Hazirit, Vetëvendosje mori shumicën absolute të votave nga jashtë”, kujtoi ai.
Megjithatë, Cakolli theksoi se për ta çuar garën në balotazh, kandidatit të LDK-së, Arbër Ismajli, do t’i duhej të siguronte mbi 50% të votave të diasporës, një objektiv që e vlerëson të vështirë për t’u arritur.
Sa i përket Junikut, Cakolli e vlerësoi atë si “garën më interesante”, pasi rreth 25% e votuesve janë të regjistruar jashtë vendit. Ai tha se diferenca mes kandidatëve Agron Kuçi dhe Ruzhdi Shehu është e vogël, ndërsa rezultati përfundimtar mund të përcaktohet nga votat e diasporës.
“Sipas trendeve të kaluara, gjasat janë që shumica e votave jashtë vendit të shkojnë për Shehun, të cilit do t’i mjaftonin rreth 55% e tyre për ta fituar garën pa balotazh”, shtoi Cakolli, duke theksuar se LDK-ja mund ta sigurojë fitoren në Junik pa rund të dytë.










