#Kosova #Lajme

Brenda një dekade në Kosovë janë mbyllur 40 shkolla – kriza demografike po godet arsimin në rajon

Rënia e natalitetit, emigracioni dhe zbrazja e zonave rurale po ndikojnë ndjeshëm në sistemin arsimor në rajon, duke çuar në mbylljen e qindra shkollave. Vetëm në Kosovë, gjatë periudhës 2013–2023 janë mbyllur 40 shkolla, ndërsa në Shqipëri nga viti 2012 deri më 2022 janë mbyllur 295 institucione arsimore. Në Maqedoninë e Veriut, numri i shkollave të mbyllura varion nga 30 deri në 44.

Këto të dhëna reflektojnë një krizë të thellë demografike dhe arsimore, që veçanërisht prek zonat rurale. Në Kosovë, shumë shkolla funksionojnë me vetëm 5–10 nxënës, ndërsa numri i përgjithshëm i nxënësve në arsimin e mesëm ka rënë nga 65.757 në vitin shkollor 2023/2024 në 63.551 në vitin 2024/2025 – një ulje prej mbi 2.000 nxënësish brenda një viti.

Në Shqipëri, fenomeni ka krijuar disbalanca të mëdha në raportin mësues–nxënës, duke regjistruar raste ekstreme me 7 mësues për vetëm 3 nxënës. Ndërsa në Maqedoninë e Veriut, ministrja e Arsimit Vesna Janevska ka propozuar që objektet e shkollave të mbyllura të shndërrohen në qendra për të moshuarit – një vendim që simbolizon rënien e numrit të të rinjve dhe rritjen e popullsisë së moshuar.