#Lajme

BQK: Rreth 1.7 milion kartela bankare aktive në Kosovë

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka bërë të ditur se në fund të vitit 2024 janë regjistruar gjithsej 1,684,034 kartela bankare në vend, duke përfshirë kartela debiti, krediti dhe kartela debiti të vonuar për individë dhe biznese.

Sipas raportit të BQK-së “Përdorimi i kartelave në Kosovë”, numri i përgjithshëm i kartelave është rritur për 4.49 për qind krahasuar me fundin e vitit 2023, kur ishin regjistruar 1,611,723 kartela. Në të njëjtën periudhë, kartelat e debitit janë rritur me 2.08 për qind, ndërsa ato të kreditit me 8.2 për qind.

Nga numri i përgjithshëm, rreth 55 për qind e kartelave janë të brendit Visa, 43 për qind janë Mastercard, ndërsa 2 për qind janë kartela lokale. Po ashtu, në fund të vitit 2024 janë raportuar 1,281,368 kartela me funksion “contactless”, që përbëjnë rreth 77 për qind të kartelave aktive në Kosovë.

BQK thekson se përdorimi i kartelave “contactless” – që lejojnë pagesa pa kontakt fizik me pajisjen POS – është në rritje të vazhdueshme, pasi shumica e kartelave të reja lëshohen me këtë funksion, ndërsa kartelat e vjetra po zëvendësohen gradualisht.

Raporti tregon gjithashtu se gjatë vitit 2024, përdorimi i kartelave të debitit është rritur me 6.5 për qind, duke reflektuar rritjen e pagesave elektronike nga qytetarët dhe bizneset në Kosovë.