#Lajme

BQK publikon të dhënat për sektorin bankar: Asetet arrijnë në 9.22 miliardë euro

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka publikuar statistikat e bankave komerciale për muajin nëntor 2025, duke bërë të ditur se asetet totale të sektorit bankar kanë arritur në 9.22 miliardë euro në fund të këtij muaji. Sipas BQK-së, kjo paraqet një rënie prej 1.23 për qind krahasuar me muajin paraprak.

Të dhënat tregojnë se kreditë bruto, në fund të nëntorit 2025, kanë arritur vlerën prej 6.55 miliardë euro, duke shënuar rritje prej rreth 54.49 milionë euro, apo 0.84 për qind në krahasim me muajin tetor. Ndërkohë, vlera e kredive të reja të lëshuara gjatë muajit nëntor ka qenë 203.75 milionë euro. Norma mesatare e interesit për kreditë e reja gjatë këtij muaji ishte 6.69 për qind.

Sipas BQK-së, depozitat e klientëve në nëntor 2025 kanë arritur në 7.39 miliardë euro, duke u rritur për rreth 33 milionë euro, apo 0.45 për qind krahasuar me muajin paraprak. Vlera e depozitave të reja gjatë nëntorit ishte 79.62 milionë euro, ndërsa norma mesatare e interesit në depozita të reja u regjistrua në 3.08 për qind.

Po ashtu, margjina e normës së interesit ndërmjet kredive dhe depozitave në muajin nëntor 2025 ishte 3.61 për qind, ndërsa raporti kredi-depozita u regjistrua në nivelin 88.71 për qind.

Në njoftim thuhet se kapitali i përgjithshëm i bankave komerciale, në fund të muajit nëntor 2025, ka arritur në 1.12 miliardë euro. Ndërkohë, provizionet për kredi kanë shënuar rritje prej rreth 1.60 për qind krahasuar me muajin paraprak, duke arritur vlerën prej 153.69 milionë euro.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *