Borë dhe ngrica në vend, IHK dhe Policia apelojnë për kujdes të shtuar në trafik
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar përkeqësim të kushteve atmosferike në ditët në vijim, me ulje të ndjeshme të temperaturave dhe reshje bore në disa pjesë të vendit. Sipas njoftimit, pritet ndryshim i drejtimit të erës nga juglindja në veri dhe veriperëndim, duke mundësuar depërtimin e masave ajrore të ftohta nga veriu.
IHK bën të ditur se temperaturat minimale do të zbresin nën zero gradë Celsius, kryesisht gjatë natës dhe orëve të hershme të mëngjesit, çka do të krijojë kushte për ngrica në rrugë, trotuare, ura dhe zona me lagështi të shtuar. Këto rrethana, të shoqëruara me borë dhe erëra të ftohta, pritet të vështirësojnë qarkullimin rrugor, veçanërisht në rrugët malore, akset dytësore dhe zonat me reliev të thyer, ku ekziston rreziku i rrëshqitjeve dhe ngrirjes së shpejtë të sipërfaqeve rrugore.
Instituti u ka bërë thirrje autoriteteve përgjegjëse që të jenë në gatishmëri të shtuar për mirëmbajtjen e rrugëve, ndërsa qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik u rekomandon përdorimin e pajisjeve dimërore, respektimin e distancës së sigurisë dhe përshtatjen e shpejtësisë me kushtet e rrugës. Po ashtu, theksohet se këto kushte mund të ndikojnë edhe në sektorë të tjerë, përfshirë bujqësinë, furnizimin me energji elektrike dhe jetën e përditshme.
Ndërkohë, edhe Policia e Kosovës ka apeluar për kujdes të shtuar gjatë vozitjes, për shkak të reshjeve të shiut dhe borës si dhe rrezikut nga ngricat. Policia vlerëson se kushtet aktuale e bëjnë më të vështirë qarkullimin dhe rrisin rrezikun për aksidente, sidomos në rrugët e lagura apo të mbuluara me borë dhe akull.
Autoritetet policore u bëjnë thirrje drejtuesve të automjeteve që të përshtatin shpejtësinë, të mbajnë distancë të mjaftueshme mes mjeteve dhe të ngadalësojnë lëvizjen në segmentet rrugore me kushte të vështira. Po ashtu, këshillohet pajisja e automjeteve me goma dhe pajisje dimërore, duke theksuar se siguria në trafik mbetet prioritet.











