#Botë

Bordi i Paqes pritet të mblidhet më 19 shkurt në Uashington, në takimin e parë që synon adresimin e konflikteve globale.

Sipas raportimit të Axios, duke cituar një zyrtar amerikan dhe diplomatë nga disa vende pjesëmarrëse, mbledhja do të zhvillohet në Institutin Amerikan të Paqes. Në fokus të diskutimeve pritet të jetë rindërtimi dhe qeverisja e Gazës pas armëpushimit, megjithëse planet janë ende në fazë të hershme dhe mund të pësojnë ndryshime.

Bordi i Paqes u krijua në fund të janarit nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili do ta udhëheqë këtë mekanizëm. Fillimisht ai ishte menduar për mbikëqyrjen e qeverisjes së përkohshme të Gazës, por më vonë u njoftua se do të zgjerohej për të trajtuar konflikte më të gjera në nivel global.

Para takimit të Bordit të Paqes, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu pritet të takohet me presidentin amerikan në Shtëpinë e Bardhë më 18 shkurt, një ditë para konferencës.

Takimi në Uashington synon gjithashtu mbledhjen e fondeve për rindërtimin e Gazës, ndërsa situata në terren vazhdon të mbetet e paqëndrueshme, pavarësisht armëpushimit.

Ndërkohë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka përfaqësuar vendin në Davos, ku ka nënshkruar dokumentin si shtet themelues i Bordit të Paqes.