Bllokada institucionale po i kushton Kosovës mbi 1 miliard euro – marrëveshjet ndërkombëtare mbesin të ngrira
Kriza institucionale pas zgjedhjeve të parakohshme po i shkakton dëme të mëdha ekonomike Kosovës. Mungesa e konstituimit të Kuvendit ka sjellë bllokim të marrëveshjeve ndërkombëtare me vlerë mbi 1.2 miliardë euro, duke rrezikuar projekte të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit.
Eksperti i ekonomisë Safet Gërxhaliu ka theksuar se Kosova po përballet me pasoja serioze për shkak të këtij vakuumi institucional. Ai ka bërë të ditur se rreth 830 milionë euro nga fondet IPA 2 dhe IPA 3, të ndërlidhura me agjendën e reformave të BE-së dhe projekte të financuara nga SHBA, janë të bllokuara. Po ashtu, tri marrëveshje me Bankën Botërore në vlerë prej 320 milionë eurosh janë të ngrira.
“Projekti që vitin e kaluar ka kushtuar 100 milionë euro, këtë vit nuk mund të realizohet as për 150 milionë. Nëse fondet nuk përdoren në kohë, ato ridrejtohen në vende të tjera,” ka thënë Gërxhaliu për Ekonomia Online.
Në të njëjtën linjë është shprehur edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, i cili ka bërë të ditur se janë bllokuar marrëveshje në vlerë prej rreth 900 milionë eurosh për projekte kapitale jetike.
“Këto projekte ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen ekonomike dhe standardin e qytetarëve, por nuk po mund të ecin përpara për shkak të mungesës së Kuvendit funksional,” theksoi Rafuna.
Përveç humbjeve ekonomike, ekspertët paralajmërojnë se situata e krijuar rrezikon të dëmtojë edhe besueshmërinë ndërkombëtare të Kosovës si partnere në projektet zhvillimore. Ata bëjnë thirrje për një zgjidhje të shpejtë politike që të mundësohet rifillimi i punës së institucioneve dhe zhbllokimi i proceseve të rëndësishme për vendin.











