#Lajme

Bllokada 9-mujore sjell pasoja të rënda për Kosovën në skenën e brendshme dhe ndërkombëtare

Bllokada institucionale që zgjati nëntë muaj ka shkaktuar dëme të shumta për Kosovën, duke prekur zhvillimet e brendshme, proceset diplomatike dhe perspektivën evropiane të vendit.

Ish-diplomati Avni Arifi vlerëson se mungesa e institucioneve funksionale ka krijuar pasoja të mëdha, jo vetëm materiale, por edhe politike e diplomatike. Ai thotë se vendi ka pësuar humbje të dhjetëra e qindra milionë eurove, ndërsa imazhi ndërkombëtar është dëmtuar rëndë. Sipas tij, bllokada ka lënë Kosovën prapa në procesin e integrimit evropian, duke theksuar se raporti i fundit i Komisionit Evropian shënon regres dhe jo progres. Arifi kritikon edhe keqmenaxhimin e situatës politike, duke theksuar se Kosova ende nuk është rikuperuar nga dëmet e shkaktuara.

Edhe ekspertja e politikave evropiane, Arbëresha Loxha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, thekson se kriza institucionale ka goditur rëndë perspektivën e integrimit të Kosovës në BE. Ajo kujton se Kosova vazhdon të jetë vendi me pozitën më të dobët integruese në rajon, pasi nuk ka as statusin e vendit kandidat, në kohën kur vendet e tjera kanë avancuar në proceset e tyre. Sipas saj, mungesa e institucioneve ka penguar zbatimin e reformave dhe ka bllokuar përfitimin nga plani i rritjes së BE-së, pasi marrëveshjet përkatëse nuk janë miratuar në Kuvend.

Për pasojë, Kosova mbetet ndër vendet e vetme në rajon, krahas Bosnje dhe Hercegovinës, që nuk ka përfituar nga fondet e planit të rritjes, si dhe ka humbur mundësinë për të marrë 90 milionë euro nga Banka Botërore. Kjo situatë, sipas Loxhës, ka ndikuar negativisht në përgatitjen e vendit për të avancuar drejt statusit të kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.