Bislimi: Pajtim Kosovë–Serbi për funksionalizimin e komisionit për personat e zhdukur
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, ka bërë të ditur se Kosova dhe Serbia kanë arritur pajtim për funksionalizimin e komisionit të përbashkët që do të zbatojë marrëveshjen për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Pas rundit të ri të dialogut në Bruksel, Bislimi tha se në javët në vijim pritet që përfaqësuesit e delegacioneve të dy palëve të takohen për të përcaktuar prioritetet fillestare të punës së këtij komisioni.
Marrëveshja u arrit pas disa orësh bisedimesh që ndërmjetësi evropian, Peter Sorensen, zhvilloi veçmas me delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, ndërsa në mbrëmje u mbajt edhe një takim i përbashkët ku ajo u formalizua. Ky rund dialogu pasoi vizitat e Sorensenit javën e kaluar në Prishtinë dhe Beograd.
Çështja e personave të zhdukur ishte adresuar edhe më herët, kur në vitin 2023 kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u pajtuan për një deklaratë të përbashkët. Zbatimi i plotë i saj u konfirmua në dhjetor 2024 në Bruksel, por takimi i parë i planifikuar për janar nuk u mbajt për shkak të refuzimit të palës serbe.
Takimi i sotëm shënon takimin e parë të këtij viti në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Sorensen ka shprehur shpresën se viti 2026 do të sjellë përparim më të madh në dialog, duke theksuar nevojën që palët të ulen dhe të bisedojnë.
Dialogu i nivelit të lartë mes dy vendeve ka mbetur i bllokuar që nga viti 2023, pas rritjes së tensioneve pas sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit. Kryeministri Kurti e ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut me dorëzimin e Millan Radoiçiqit, i dyshuar për organizimin e sulmit, ndërsa Serbia vazhdon të insistojë në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si pjesë e Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2023, e cila ende nuk po zbatohet.








