#Lajme

Bislimi dhe Petkoviq fillojnë raund të ri të negociatave në Bruksel, Qeveria në detyrë ende pa njoftim

Një raund i ri i dialogut Kosovë-Serbi ka nisur sot në Bruksel, nën ndërmjetësimin e emisarit të Bashkimit Evropian, Peter Sorensen. Takimi zhvillohet mes kryenegociatorëve të dy vendeve, Besnik Bislimi nga Kosova dhe Petar Petkoviq nga Serbia, dhe vjen pas vizitës së Sorensenit në Prishtinë dhe Beograd.

Brukseli e ka konfirmuar se bëhet fjalë për një takim të rregullt, ndërsa Qeveria në detyrë e Kosovës ende nuk ka dhënë ndonjë njoftim zyrtar për pjesëmarrjen e delegacionit kosovar. Sipas mediave, agjenda përfshin diskutime mbi Deklaratën e përbashkët për personat e zhdukur dhe çështje të tjera të hapura nga dialogu i mëparshëm, ndërsa pala serbe pritet të ngrejë kërkesën për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe të diskutojë për “pozitën e vështirë të serbëve në Kosovë”.

Takime të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë nuk janë mbajtur që nga viti 2023, kur tensionet u rritën pas incidentit në Banjskë. Rundi i fundit teknik i dialogut ishte zhvilluar në shtator të po atij viti.