Bie ortek në Brezovicë, autoritetet paralajmërojnë rrezik të shtuar
Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës ka njoftuar se gjatë ditës së sotme është raportuar një aksident orteku në Brezovicë, në një zonë jashtë shtegut të rregulluar për skijim.
Sipas njoftimit, orteku është shkaktuar nga disa skitarë, por fatmirësisht personat e përfshirë kanë arritur të shpëtojnë pa pësuar lëndime.
Teknikët e ShKShMK-së kanë bërë të ditur se më 18 janar 2026, gjatë inspektimit të shtresave të borës në zonën e Brezovicës, janë identifikuar dy shtresa problematike, ndërsa më shqetësuese mbetet shtresa bazë mbi vegjetacion, e njohur si “Depth Hoar”.
Si pasojë e reshjeve të fundit të borës, të shoqëruara me erëra të forta nga juglindja, janë krijuar akumulime të shtresave të konsoliduara të borës, duke rritur presionin mbi shtresat e dobëta. Sipas vlerësimeve aktuale, ky kombinim ka krijuar kushte të pafavorshme dhe rrezik të shtuar për ortekë.
Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor apelon për kujdes maksimal gjatë skijimit dhe aktiviteteve malore, veçanërisht në faqet veriore, duke theksuar se rreziku nuk përjashtohet as në orientime dhe pozita të tjera gjeografike.








