Bie ndjeshëm numri i zjarreve në Kosovë, aktiv mbetet vetëm një vatër në Prishtinë
Numri i zjarreve në Kosovë ka shënuar rënie të ndjeshme në 12 orët e fundit, njofton Agjencia e Menaxhimit Emergjent. Aktualisht, i vetmi zjarr aktiv është regjistruar në fshatin Trudë të Komunës së Prishtinës, ku ekipet zjarrfikëse ndodhen ende në terren.
Sipas Agjencisë, situata gjatë pasdites së djeshme ishte e rënduar për shkak të shpërthimit të zjarreve në disa zona të hapura. Por ndërhyrja e shpejtë dhe efikase e Njësive Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, përkrahja e Agjencisë dhe reshjet e shiut kanë ndihmuar në stabilizimin e situatës.
Agjencia u bën thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr, duke kërkuar nga ta që të raportojnë menjëherë çdo vatër të dyshimtë te autoritetet përkatëse.
Në fund, ajo ka shprehur falënderim për përkushtimin e zjarrfikësve, për mbështetjen e Policisë së Kosovës dhe të KFOR-it, si dhe për bashkëpunimin e qytetarëve. Ndërkohë, me situata të ngjashme po përballen edhe disa vende të tjera të rajonit.










