#Sport

Bernardo Silva drejt largimit nga Manchester City, pavarësisht dëshirës së Guardiolës

Mesfushori portugez Bernardo Silva pritet të largohet nga Manchester City në fund të sezonit si lojtar i lirë, pavarësisht përpjekjeve të trajnerit Pep Guardiola për ta mbajtur atë në skuadër.

Sipas raportimit të “Manchester Evening News”, Guardiola e ka bërë të qartë pas fitores ndaj Newcastle se klubi dëshiron ta vazhdojë bashkëpunimin me Silvën edhe në të ardhmen. “Ne duam ta mbajmë Bernardon këtu sa më gjatë që të jetë e mundur”, ishte shprehur trajneri spanjoll.

Megjithatë, raporti thekson se Guardiola është i vetëdijshëm për vendimin e mesfushorit portugez për t’u larguar në përfundim të sezonit.

Bernardo Silva ka folur më herët gjatë këtij edicioni për të ardhmen e tij, duke pranuar se vendimi tashmë është marrë, por pa dhënë detaje të mëtejshme. “Vendimin e kam marrë, por nuk është momenti për ta zbuluar”, kishte deklaruar ai.

Nëse largimi konfirmohet, Manchester City do të mbetet pa një nga lojtarët kyç të epokës së Guardiolës, ndërsa e ardhmja e Silvës pritet të jetë një nga temat më të përfolura të afatit kalimtar veror.