Berat Rukiqi kritikon Kurtin: Nuk e do as sektorin publik, as atë privat
Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Berat Rukiqi, ka reaguar ashpër ndaj fillimit të shkyçjes së bizneseve nga rrjeti energjetik, duke e akuzuar kryeministrin Albin Kurti për dështime në ekonomi dhe qeverisje.
Në një postim në “Facebook”, Rukiqi ka kujtuar një takim të hershëm me Kurtin, kur ai ishte kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës dhe i kishte prezantuar një platformë prej 12 pikësh për zhvillimin ekonomik. Sipas tij, Kurti i kishte thënë në atë kohë se “e do publiken, por jo privaten”.
“Tani është e qartë se ai nuk e do as publiken, as privaten. Në sektorin publik ka shkatërruar diplomacinë dhe administratën, ndërsa në ekonomi ka ndalur dy projekte madhore energjetike, ka rritur çmimet dhe e ka bërë jetën e papërballueshme”, ka shkruar Rukiqi.
Ai e akuzoi Kurtin se me çdo vendim ka dëmtuar bizneset dhe se “e vetmja gjë që ka dëshmuar se e do është paraja e mafisë energjetike”.











