#Lajme

BE reagon për moscertifikimin e Listës Serbe: Shpreh zhgënjim dhe kritikon qëndrimin e Vetëvendosjes

Bashkimi Evropian ka reaguar pas moscertifikimit të dy partive politike serbe për zgjedhjet lokale në Kosovë, duke e cilësuar vendimin si shqetësues dhe duke shprehur keqardhje për pozicionin e Lëvizjes Vetëvendosje gjatë procesit të certifikimit.

Në deklaratën e BE-së theksohet se përfshirja e plotë dhe gjithëpërfshirëse në zgjedhjet e ardhshme është thelbësore për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian. “Partitë politike që kanë përmbushur kriteret ligjore duhet të lejohen të marrin pjesë në zgjedhje dhe përfaqësuesit e tyre të zgjedhur të ushtrojnë mandatet në të gjithë territorin e Kosovës, nëpërmjet një procesi të lirë, të drejtë dhe gjithëpërfshirës”, thuhet në reagim.

BE-ja ka bërë thirrje që i gjithë procesi i certifikimit, përfshirë edhe apelimet e mundshme, të zhvillohet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe parimet e sundimit të ligjit.

“Çdo përjashtim i aktorëve politikë bie ndesh me parimin themelor të pjesëmarrjes demokratike të të gjitha komuniteteve”, thekson BE-ja, duke paralajmëruar se do të vazhdojë ta monitorojë nga afër këtë proces.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka certifikuar Listën Serbe – partinë më të madhe të serbëve në Kosovë – për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, pasi rekomandimi për certifikim mori vetëm 2 vota për, 2 kundër dhe 7 abstenime.