BE: Mosratifikimi i marrëveshjeve po mban të bllokuara fondet milionëshe për Kosovën
Kosova vazhdon të mbetet jashtë përfitimit nga paketa prej 171 milionë eurosh e Komisionit Evropian për zhvillimin e infrastrukturës dhe sektorit privat në Ballkanin Perëndimor, për shkak të mosplotësimit të kushteve ligjore dhe bllokadës institucionale pas zgjedhjeve.
Bashkimi Evropian ka konfirmuar se mungesa e ratifikimit të Marrëveshjeve të Huasë dhe të Lehtësimit në kuadër të Lehtësimit për Reformë dhe Rritje (RGF) ka penguar realizimin e pagesave për Kosovën. Sipas BE-së, pa përfundimin e këtyre procedurave ligjore, vendi nuk mund të përfitojë nga fondet në fjalë.
“Kosova ende nuk i ka përmbushur kushtet ligjore për të marrë pagesat, pasi nuk i ka ratifikuar Marrëveshjet e Huasë dhe të Lehtësimit në kuadër të RGF-së. Për rrjedhojë, ajo nuk mund të përfitojë ende nga këto fonde”, thuhet në përgjigjen e BE-së për FrontOnline.
Në një deklaratë zyrtare, një zëdhënës i Komisionit Evropian ka shprehur shpresën se kjo çështje do të zgjidhet së shpejti, duke rikujtuar se Kosova ka përfituar kohët e fundit një ndihmë financiare prej 216 milionë eurosh. Kjo ndihmë përfshin programimin e fondeve të reja dhe vazhdimin e disa kontratave prioritare.
Sipas Komisionit Evropian, kjo paketë përfshin 181 milionë euro për fonde të reja dhe 35 milionë euro për vazhdimin e katër kontratave prioritare, të cilat synojnë të përfitojnë drejtpërdrejt qytetarët e Kosovës.
Ndërkohë, BE-ja ka bërë të ditur se lirimi i shumës së mbetur prej 205 milionë eurosh pritet të ndodhë në fillim të këtij viti. Kjo do të mundësonte rifillimin e kontraktimit të fondeve IPA 2021, në vlerë rreth 17 milionë euro, IPA 2022 me 55.7 milionë euro, si dhe projekteve të Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) në vlerë prej 132 milionë eurosh, pas arritjes së një marrëveshjeje mbi prioritetet e programimit.








