BE kritikon dështimin e konstituimit të KPK-së, letër shqetësuese Qalajt
Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim të thellë për dështimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës që të konstituohet dhe të marrë mandatin e tij në mbledhjen konstituive të mbajtur më 20 janar 2026.
Në një letër drejtuar ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, e ka cilësuar këtë situatë si veçanërisht zhgënjyese, duke theksuar se përbërja e re e KPK-së ishte paraparë të shënonte një hap kyç në procesin e reformës së sistemit prokurorial.
Sipas BE-së, ndonëse reforma synonte forcimin e udhëheqjes dhe harmonizimin e sistemit prokurorial me parimet e sundimit të ligjit, Këshilli u pengua të marrë mandatin dhe të fillojë punën siç ishte planifikuar. Në letër rikujtohet se BE-ja ka mbështetur vazhdimisht reformën e KPK-së, me synim reduktimin e korporatizmit dhe rritjen e transparencës dhe ligjshmërisë.
Zyra e BE-së thekson se më herët ka shprehur shqetësime të përsëritura për vendime të parregullta, madje edhe të paligjshme, të cilat kanë minuar zbatimin e reformës. Në këtë kontekst, thuhet se një qasje e diskutueshme ndaj udhëheqjes demokratike të Këshillit, nën kryesimin e Qalajt, ka ndikuar në dështimin për konstituim.
BE-ja vlerëson se si pasojë e kësaj situate, legjitimiteti i KPK-së është dobësuar, duke vënë në pikëpyetje edhe angazhimin e Bashkimit Evropian për partneritet me një institucion, kredibiliteti dhe përkushtimi i të cilit ndaj qeverisjes së ligjshme dhe transparente janë lëkundur.
Në fund, ambasadori Orav i bën thirrje Qalajt që të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar funksionimin e rregullt të KPK-së, përmes respektimit të plotë të ligjit dhe procedurave, si dhe shmangies së çdo praktike që mund të perceptohet si manipulim procedural.
BE-ja thekson se sistemi prokurorial është shtyllë themelore e sundimit të ligjit dhe një element kyç për zhvillimin demokratik të Kosovës dhe rrugën e saj evropiane, duke nënvizuar se angazhimi i ardhshëm do të varet nga kredibiliteti dhe funksionimi i rregullt i Këshillit.








