#Botë

BE-ja nis procesin e heqjes së masave ndaj Kosovës, mbi 400 milionë euro pritet të zhbllokohen

Bashkimi Evropian ka nisur procesin e heqjes graduale të masave kufizuese ndaj Kosovës, me synimin që në javët në vijim të eliminohen masat financiare, duke mundësuar lirimin e mbi 400 milionë eurove.

Lajmi është bërë i ditur nga drejtori i përgjithshëm për Zgjerim i Komisionit Evropian, Jan Gert Koopman, gjatë një paraqitjeje në Parlamentin Evropian, ku ai tha se masat tashmë kanë filluar të zbuten dhe se procesi ndodhet në një fazë kyçe.

Sipas tij, aktualisht po zhvillohen konsultime me autoritetet përkatëse dhe Komisioni Evropian synon ta finalizojë vendimin deri në fund të muajit, me kushtin e miratimit nga Komiteti i Shteteve Anëtare.

Koopman sqaroi se heqja e plotë e masave financiare do të bëhet pas përfundimit të procedurave të programimit dhe nënshkrimit të kontratave.

Sa i përket Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, ai theksoi se Kosova mund të përfitojë nga pagesat e para vetëm pas konstituimit të Kuvendit dhe ratifikimit të marrëveshjes përkatëse.