BE-ja ndan 7.5 milionë euro shtesë për sektorin energjetik në Kosovë
Bashkimi Evropian ka ndarë edhe 7.5 milionë euro për Kosovën në kuadër të Pakos së Mbështetjes Energjetike (IPA 2023), duke rikonfirmuar angazhimin për tranzicionin e gjelbër dhe energjinë e pastër.
Sipas Zyrës së BE-së në Kosovë, fondet janë disbursuar më 19 gusht 2025 dhe bëjnë pjesë në ndihmën e përgjithshme prej 75 milionë eurosh që BE-ja ka ofruar deri tani për sektorin energjetik.
Mbështetja ka sjellë rezultate të prekshme: mbi 200 mijë familje kanë marrë ndihmë për faturat e energjisë, mbi 3,600 shtëpi janë rinovuar për efiçiencë, 28 objekte të familjeve të cenueshme janë në proces rinovimi, ndërsa mbi 40 mijë familje dhe 154 biznese janë pajisur me panele solare dhe teknologji kursimi.
“BE-ja qëndron pranë Kosovës dhe popullatës së saj në rrugën drejt energjisë së qëndrueshme, dekarbonizimit dhe sigurisë energjetike,” thuhet në njoftim.











