Bashkatdhetarët mblidhen në Hagë për deklaratën përmbyllëse të mbrojtjes së Thaçit
Qytetarë të shumtë nga diaspora kanë nisur të mblidhen pranë Dhomave të Specializuara në Hagë për të ndjekur nga afër seancën ku ekipi mbrojtës i ish-presidentit Hashim Thaçi do të paraqesë deklaratën përmbyllëse.
Në ditën e tretë të fazës përfundimtare të procesit gjyqësor, avokati i Thaçit, Lluka Mishetiq, ka mbërritur në objektin e gjykatës rreth një orë para nisjes së seancës. Sipas njoftimit të tij, paraqitja e deklaratës përmbyllëse nga mbrojtja pritet të fillojë në orën 09:00.
Një ditë më parë, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) përmbylli fjalën e saj përfundimtare, ndërsa më pas paraqiti qëndrimin edhe mbrojtësi i viktimave. Prokuroria ka bërë të ditur se gjatë procesit ka paraqitur mbi pesë mijë prova materiale dhe ka intervistuar më shumë se 130 dëshmitarë.
Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly West, ka kërkuar dënim me nga 45 vjet burgim për secilin prej katër ish-krerëve të UÇK-së, që në total përbën 180 vjet burgim. Po ashtu, prokuroria ka pretenduar se ish-presidenti Thaçi ka mashtruar ndërkombëtarët në disa raste, duke iu referuar dëshmive të James Rubin dhe Wesley Clark.
Kërkesa për dënim ka nxitur reagime nga liderë në Kosovë dhe rajon, të cilët kanë theksuar se një masë e tillë nuk mbështetet në standarde ndërkombëtare dhe kanë përsëritur qëndrimin se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka zhvilluar një luftë të drejtë.








