#Lajme

Basha dhe Prattipati bisedojnë për zhvillimet politike dhe pagat e RTK-së

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, u takua sot me të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara, Anu Prattipati, me të cilën shkëmbeu qëndrime rreth situatës së fundit politike në vend, si dhe çështjes së pagave të punëtorëve të RTK-së.

Në njoftimin e Kuvendit thuhet se Basha ka shprehur keqardhje për mosvotimin e disa pikave të rëndësishme, si marrëveshjet ndërkombëtare, buxhetet komunale, ligji i buxhetit dhe raporti i RTK-së që do të mundësonte zgjidhjen e problemeve të pagave për stafin e transmetuesit publik.

Një pjesë e diskutimit iu kushtua edhe procesit zgjedhor, duke theksuar rëndësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe nevojën për respekt ndërmjet subjekteve politike.

“Kosova ka dëshmuar se organizon procese zgjedhore të rregullta, ndërsa qytetarët vazhdimisht shfaqin kulturë të lartë demokratike”, u shpreh Basha.

Ai gjithashtu ka falënderuar Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e vazhdueshme, duke i cilësuar si aleat të çmuar dhe shembull të vlerave demokratike për vendin.