#Lajme

Balotazhi më 9 nëntor, KQZ sqaron kohëzgjatjen e fushatës për rundin e dytë

Vetëm 10 ditë para zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, është bërë e ditur se balotazhi në komunat ku asnjëri prej kandidatëve nuk arrin mbi 50% të votave do të mbahet më 9 nëntor.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se kohëzgjatja e fushatës për raundin e dytë do të përcaktohet me vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pasi të certifikohen rezultatet e rundit të parë.

Sipas tij, kryetari i komunës zgjidhet nga votuesit e regjistruar në atë komunë dhe shpallet fitues kandidati që merr 50% plus një votë të votave të vlefshme. Në rast se kjo nuk arrihet, pas katër javësh zhvillohet balotazhi mes dy kandidatëve më të votuar, ku fitues shpallet ai që merr shumicën e votave.

Ndërkohë, sot shënohet dita e 20 e fushatës për zgjedhjet e 12 tetorit, ku partitë politike kanë intensifikuar takimet me qytetarët në gjithë vendin.