#Lajme

Azemi para takimit me Muratin: Paga minimale për punëtorët privatë duhet të jetë 600 euro

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka deklaruar se kërkesa e sindikatës për përfshirjen e pagës minimale prej 600 eurosh për punëtorët e sektorit privat është dorëzuar tek kryeministri dhe ministri i Financave që nga muaji mars.

Duke folur para takimit me ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati, ku do të diskutohet për pagën minimale, Azemi tha se qëndrimi i sindikatës është i qartë:

“Që nga marsi, kryeministri dhe ministri e kanë në tavolinë kërkesën tonë që paga minimale për punëtorët e sektorit privat të jetë 600 euro.”

Ai shtoi se sindikata nuk pajtohet me propozimin për pagë minimale prej 500 eurosh, ndonëse e vlerëson si një hap pozitiv nga qeveria.

“Qeveria mund të vendosë për 500 euro, por ne do t’i lëmë dyert e hapura për reagime, përfshirë edhe greva nëse kompanitë nuk pajtohen,” tha Azemi.

Sipas tij, kostoja mesatare e jetesës për një anëtar familjeje është 2.80 euro në ditë, që përfshin ushqimin, transportin, arsimin dhe shëndetësinë. “Sa mund të mbulohet jeta me 2.80 euro në ditë, mund ta vlerësoni edhe vetë,” shtoi ai.