Azemi: Paga minimale nuk mjafton për jetesë, 400 punëtorë të UP paguhen nën minimumin ligjor
Kryetari i Federatës Sindikale të Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka thënë se gjendja e punëtorëve në vend është alarmante, pasi me pagën mesatare prej 350 deri në 370 euro nuk mbulohen as nevojat bazë të një individi, e lëre më të një familjeje. Ai theksoi se sipas standardeve ndërkombëtare, paga e një punëtori duhet të përmbushë kërkesat e katër anëtarëve të familjes, gjë që në Kosovë nuk ndodh.
Azemi ka paralajmëruar se shumë punëtorë po përballen me vështirësi të mëdha financiare, sidomos me fillimin e vitit shkollor dhe sezonin e dimrit. Sipas tij, në Kosovë ende ka raste kur punëtorët paguhen edhe nën minimumin ligjor, duke përmendur rreth 400 punëtorë të Universitetit të Prishtinës që marrin më pak se 350 euro, ndonëse kjo pagë është në fuqi që nga tetori i vitit të kaluar.
Ai kritikoi edhe mosveprimin e Inspektoratit të Punës, duke theksuar se shpesh gjobat e shqiptuara ndaj kompanive nuk ndihmojnë punëtorët, por përkundrazi i lënë ata në pozitë të vështirë. Sipas tij, shumë kompani përfitojnë financiarisht duke mos respektuar pagën minimale, ndërsa punëtorët humbin çdo muaj dhjetëra euro.
Azemi përfundoi se çdo pagë nën 800 euro është e pamjaftueshme për një jetë normale në Kosovë, duke shtuar se vendi mbetet me pagën më të ulët minimale dhe me mbikëqyrjen më të dobët të ligjeve të punës në rajon.










