Avokatja e Krasniqit kërkon pafajësinë: S’ka prova për përfshirje në krime
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka nisur paraqitja e deklaratës përmbyllëse nga avokatja e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendra, e cila kërkoi shpalljen e tij të pafajshëm.
Ajo theksoi se klienti i saj po mbahet padrejtësisht në paraburgim prej pesë vitesh dhe se gjatë 34 muajve të gjykimit nuk është paraqitur asnjë dëshmitar që të provojë se ai ka rrahur, torturuar apo keqtrajtuar ndonjë person.
Sipas saj, prokuroria është mbështetur kryesisht në spekulime dhe pretendime të pabaza, duke anashkaluar prova shfajësuese. Ajo shtoi gjithashtu se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka thirrur disa dëshmitarë kyç, të cilët do të mund të jepnin informacione të rëndësishme për hierarkinë e UÇK-së.
Në fillim të parashtrimeve përfundimtare, mbrojtja argumentoi se prokuroria nuk ka arritur të vërtetojë lidhjen mes Krasniqit dhe krimeve të pretenduara, duke theksuar se aktakuza nuk do të duhej të ishte ngritur fare.
Parashtrimi përfundimtar i mbrojtjes së Krasniqit pritet të zgjasë gjatë gjithë ditës.








