Avokati Zekaj: 35 të ndaluar për rastin BKS mbahen pa vendim gjyqësor pas skadimit të afatit ligjor
Avokati Yll Zekaj ka reaguar lidhur me mbajtjen e 35 të ndaluarve në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan, në kuadër të rastit të Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS). Ai ka deklaruar se afati ligjor i ndalimit prej 48 orësh ka skaduar sot në ora 10:00, por të ndaluarit vazhdojnë të mbahen pa vendim gjyqësor, duke e cilësuar këtë si mbajtje të kundërligjshme.
Sipas Zekajt, gjatë seancës për caktimin e masave të sigurisë ndaj 39 të pandehurve, Prokuroria kishte kërkuar që 35 prej tyre të vendosen në masën e paraqitjes në stacion policor, por Gjykata nuk ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm, duke i kthyer në paraburgim në pritje të aktvendimit.
Ndërkohë, ish-drejtori i BKS-së, Sami Mazreku, dhe ish-drejtori i Financave, Valon Berisha, si dhe 37 të tjerë, janë arrestuar më 8 janar në një aksion të Prokurorisë Themelore në Prizren. Dëmi i pretenduar nga keqpërdorimet arrin mbi 1 milion euro, duke përfshirë transaksione të paautorizuara për kompensime të supozuara nga aksidentet e trafikut.
Prokuroria ka njoftuar se rasti është iniciuar nga vetë BKS-ja si palë e dëmtuar, ndërsa hetimet vazhdojnë për të gjitha personat e përfshirë në këtë çështje.











